07.08.2018

Qeveria mbështet Kooperativën Bujqësore “Krusha” dhe shpall “Qytetar me merita të veçanta” Rifat Jasharin

Mbledhja e 60-të e Qeverisë
Prishtinë, 7 gusht 2018

Kabineti qeveritar është informuar për zbatimin e Programit Legjislativ për vitin 2018. Programi Legjislativ për Vitin 2018 është miratuar në mbledhjen e 20-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe ka pësuar plotësim ndryshimet me tetë vendime te ndryshme të kabinetit qeveritar. Në këtë periudhë të mandatit të kësaj Qeverie është dëshmuar një dinamikë e punës me 675 vendime te aprovuara, me 81 projektligji, 33 akte nënligjore, 24 koncept dokumente, 8 strategji dhe 97 akte nënligjore të ministrive.

Është miratuar Udhëzimi administrativ për skemën e kompensimit lidhur me zbatimin e vendimeve të komisionit për kërkesa pronësore banesore. Udhëzimi trajton procedurat dhe kriteret për zbatimin e njëqindedyzetetre vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të ish-Drejtorisë për Çështje Pronësore Banesore, lidhur me kthimin e të drejtës pronësore të humbur si rezultat i diskriminimit dhe kompensimin e parashtruesve të kërkesave.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme është themeluar Ekipi Nacional për platformën e specializimit të mençur (Smart Specialisation). Ekipi do të jetë përgjegjës për udhëheqjen dhe koordinimin e procesit të platformës së specializimit të mençur, përfshirë edhe përgatitjen e analizave dhe dokumenteve të nevojshme të politikave që kërkohen nga kjo platformë. Ekipi përbëhet nga:
– Zyra për Planifikimi Strategjik/ZKM
– Ministria për Inovacion dhe Ndërmarrësi
– Ministria e Integrimeve Evropiane
– Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
– Ministria e Tregtisë dhe Industrisë
– Ministria e Zhvillimit Ekonomik
Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, Rifat Jasharit, i njihet statusi i qytetarit me merita të veçanta për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Sipas vendimit, Rifat Jashari do të gëzojë të gjitha beneficionet e rregulluara me këtë vendim.

Është bërë edhe plotësim ndryshimi i vendimit të Qeverisë të datës 29 prill 2008, me të cilën është rregulluar kompensimi dhe trajtimi institucional për Adem Demaqin. Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit, rregullohen beneficionet që do t’i gëzojë bashkëshortja pas vdekjes së Adem Demaqit.

Qeveria ka ndarë 20 mijë euro për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër DOKUFEST dhe 23,920 euro për Kooperativën Bujqësore “Krusha”. Kjo kooperativë është trashëguese e shoqatës “Grat e veja”, që përbëhej nga gratë kryefamiljare të fshatit Krushë të Komunës së Rahovecit. Kooperativa merret me kultivimin e perimeve dhe përpunimin e tyre.

Kabineti qeveritar ka aprovuar kërkesën e Komisionit Shtetëror për Shënimin e 550 Vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, të shpallur si viti Gjithëkombëtar i Skënderbeut për vendosjen e Kompozicionit të Shtatores së tre udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në oborrin e Shtëpisë së Lidhjes.

Qeveria ka miratuar vendimin për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurim Publik në Republikën e Kosovës për Ministrinë e Punëve të Jashtme në procesin e pajisjes me sistem të lartë të sigurisë së komunikimit.

Në mbledhjen e sotme është miratuar Projektligji për ratifikimin e ndryshimit dhe plotësimit të marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komunës së Prizrenit për dhënie në shfrytëzim të pronës së paluajtshme, në pronësi të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për nevoja dhe interes publik.

Kabineti qeveritar ka aprovuar propozimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për kërkesën e Komunës së Podujevës për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronës të ish-Ndërmarrjes shoqërore kooperativa bujqësore ‘’Përparimi’’, e cila aktualisht është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me qëllim të realizimit të interesit publik në Komunën e Podujevës.

Me qëllim të realizimit të projekteve me interes, janë miratuar vendimi për tërheqje nga procesi i privatizimit të pronave në Komunën e Ferizajt, ndërsa për Komunën e Rahovecit është miratuar vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme që menaxhohen nga Agjencia Pyjore e Kosovës në zonën kadastrale të Rahovecit.

Kabineti qeveritar ka rekomanduar që komunat paraprakisht të analizojnë dhe arsyetojnë kërkesat e tyre për prona, për shkak se këto kërkesa mund të krijojnë kosto shtesë për buxhetet e tyre në të ardhmen.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet për shqyrtim të mëtejmë të kërkesave për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi rrugës regjionale, në segmentin Osojan-Rakosh; të pronave që preken nga ndërtimi i “Kullës së Dem Ahmetit” me qëllim të shndërrimit të saj në shtëpi muze; dhe të pronave që preken nga ndërtimi “Qarkores së Gjakovës” zgjerimi i rrugës Gjakovë – Prizren.

Pas shqyrtimit, Qeveria ka miratuar Planin e Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2018-2020. Plani përqendrohet ne arritjen e rezultateve në fushën e:
– Shërbimit civil (menaxhimin e burimeve njerëzore);
– Shërbimeve publike administrative dhe procedurave administrative; dhe
– Llogaridhënies dhe organizimit të administratës shtetërore.
Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar është informuar për zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit gjatë periudhës Janar-Qershor 2018. Programi për këtë vit ka 532 masa, prej të cilave 144 janë masa legjislative dhe 388 janë masa zbatuese. Shkalla e zbatimit të përgjithshëm të Programit është 24,33 për qind.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri e ka njoftuar kabinetin qeveritar me kërkesat e komunitetit boshnjak në veri, të cilët kërkojnë që të jenë pjesë e procesit të dialogut për marrëveshjen përfundimtare në Bruksel. Kryeministri ka shprehur qëndrimin se institucionet e Kosovës janë të hapura për dialog me të gjithë akterët që janë në gjendje të kontribuojnë përmbylljes së dialogut në Bruksel.

Agjenda

Të gjitha