18.06.2018

T’i mbetemi besnik lirisë ashtu siç ishte besnik baba ynë, Hilmiu

Gllogjan, 18 qershor 2018

Fjala e plotë e kryeministrit Ramush Haradinaj në mbledhjen komemorative të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Hilmi Haradinaj

I nderuar president i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia Juaj, z.Hashim Thaçi,
I nderuar baca Rifat Jashari,
Të nderuar udhëheqës politikë të trojeve shqiptare, Ali Ahmeti, Lulzim Basha,
I nderuar Lartmadhëri, Leka II,
Të gjithë ju të pranishëm, udhëheqës fetarë, Ipeshkv Dodë Gjergji, Baba Mondi, Imamë të nderuar, Shehlerë,
Familjarë të dëshmorëve, martirëve, bashkëluftëtarë, të të gjitha luftërave shqiptare,
Pjesëtarë të Qeverisë, institucioneve tona,
Të nderuar kor diplomatik, prezent këtu,
E dashur nanë, familje, të gjithë që jeni këtu,

Sot e kemi të vështirë si familje, edhe bashkëluftëtarët dhe kushdo që e çmon lirinë, se po ndahemi prej një luftëtari tē shquar për lirinë tonë, për lirinë e shqiptarëve, për lirinë e të gjithëve që bashkëjetojnë me shqiptarët, por edhe të tjerëve që jetojnë nën këtë qiell.
Ndarja nga baba ynë, nga Hilmiu, ka shumë porosi ose shumë ndjenja, por ajo që është me rëndësi, është se njerëzit e vendosur, ata që besojnë në të drejtën e tyre, krijojnë vlerë të re.
Baba ynë, nga një shqiptar i zakonshëm në kohëra jo të lehta, arriti me kriju prej vetës dhe prej neve, njerëz që i janë dedikuar lirisë, njerëz që e çmojnë lirinë, njerëz që e duan dhe e mbrojnë atë.
Liria e Kosovës, e ardhur me shumë mund, është rezultat i shumë vuajtjeve, i shumë flijimeve dhe njëkohësisht edhe i ndihmës së miqve tonë, të aleatëve, NATO-s, të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vendet tjera liridashëse.
Sot, porosia ime për të gjithë ne është: do t’i mbetemi besnik lirisë, ashtu siç ishte besnik për të drejtën e shqiptarëve, për lirinë, për lirinë e të gjithëve që jetojmë në trojet tona, baba ynë Hilmiu.

U prehsh në paqe, plak!