10.09.2018

Zëvendëskryeministri Hoxhaj takon senatorin Johnson: Marrëveshja finale me Serbinë të ketë garancë zbatimi nga BE dhe SHBA

Prishtinë, 10 shtator 2018

Pas takimeve me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, senatori amerikan Ron Johnson është pritur mbrëmë në darkë pune nga zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Në këtë takim, Hoxhaj dhe Johnson kanë diskutuar për zhvillimet në Kosovë, perspektivën Euro-Atlantike të Ballkanit Perëndimor, si dhe marrëdhëniet dhe dialogun për normalizim që po zhvillohet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se po punohet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e cila duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë mes dy shteteve dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Përveç kësaj, zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi se marrëveshja e arritur duhet të ketë garancë të zbatimit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shkëmbim shumë i mirë me senatorin Ron Johnson në lidhje me zhvillimet politike, sfidat dhe perspektivën Euro-Atlantike të Ballkanit Perëndimor. Mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe procesit të dialogut me Serbinë, proces ky i cili duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim të Kosovës në OKB”, ka deklaruar Hoxhaj.