04.05.2021

​Kryeministri Kurti zhvilloi takim virtual me ish-presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sir Suma Chakrabarti

Prishtinë, 4 maj 2021

Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, mbajti sot një takim virtual me Sir Suma Chakrabarti, ish-presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në këtë takim z. Chakrabarti fillimisht e uroi kryeministrin Kurti për fitoren historike në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke shtuar se një fitore e tillë vendimtare i rrit gjasat për reformat e suksesshme ekonomike në Republikën e Kosovës.

Gjatë bisedës, kryeministri Kurti theksoi se sigurimi sa më shpejtë i vaksinave mbetet prioriteti më urgjent i yni. Si prioritete të tjera, janë identifikuar rritja e kreditimit për bizneset e vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimit në Kosovë sidomos për mërgatën, dhe targetimi i shpenzimeve të sektorit publik për të krijuar sa më shumë vende të punës.

Z. Chakrabarti ndau me kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe ministrin Murati sugjerimet e tij dhe përvojat e tij në fusha të ndryshme, ndër to luftimin e korrupsionit, prania e të cilit pengon zhvillimin biznesor dhe ekonomik në vend, dhe strategjitë më të mira për dizajnimin e një fondi sovran. Në fund, z. Chakrabarti u shpreh i hapur për bashkëpunim të vazhdueshëm në të ardhmen me Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të mirën e qytetarëve të saj.

Agjenda

Të gjitha