21.12.2019

​Kryeministri në detyrë Haradinaj: Futbollistët tanë e kanë vendosur Kosovën shumë lartë në hartën e futbollit botëror

Prishtinë, 20 dhjetor 2019

 

“Ju e keni bashkuar Kosovën, na keni bashkuar gjithë ne. Ju i keni bërë gjithë kosovarët që të ndihen krenarë dhe të bashkuar. Na keni mësuar edhe njëherë se të bashkuar jemi më të fortë dhe se vetëm të bashkuar mund t’i tejkalojmë edhe sfidat më të mëdha”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e fundvitit e organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, me rastin e përzgjedhjes së më të mirëve për vitin 2019.
Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të FFK-së, përfaqësues nga UEFA dhe FIFA, zyrtarë të federatave të futbollit nga rajoni dhe shumë personalitete të tjera, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se kjo ceremoni u takon protagonistëve të kësaj mbrëmje, të gjithë atyre që janë meritor për futbollin në Kosovë.

Duke folur për rezultatet e arritura të futbollistëve tanë, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se vitin e kaluar ata na bënë krenarë duke mos pësuar asnjë humbje, por vetëm ngritje në Ligën C të Ligës së Kombeve.
“Këtë vit me rezultate në kualifikime tërë Kosova mburret me ju. E keni vendosur Kosovën në hartën e futbollit botëror shumë lartë. Megjithatë, ajo që ka më së shumti rëndësi, është se ju e keni bashkuar Kosovën, na keni bashkuar gjithë ne, ju i keni bërë gjithë kosovarët që të ndihen krenarë dhe të bashkuar. Na keni mësuar edhe njëherë se të bashkuar jemi më të fortë dhe se vetëm të bashkuar mund t’i tejkalojmë edhe sfidat më të mëdha”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke ju uruar futbollistëve tanë suksese në ndeshjet e mbetura kualifikuese dhe fituesve  laureatë.

Një fjalë para të pranishmëve e mbajti edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, duke thënë se në vitin 2019 kemi pasur shumë më pak fjalë dhe më shumë punë.

Me këtë rast u ndanë edhe çmimet për futbollistët më të mirë për vitin 2019, që është ngjarja më e madhe e organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, ku shpërblehen dhe nderohen ata të cilët kanë kontribuar në mënyra të ndryshme për futbollin.