07.04.2014

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajtur në Universitetin Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”

Njohuritë tuaja dhe njerëzit në këtë sallë janë ata që do të rrisin bizneset në të ardhmen. Prandaj, ne do të investojmë në Ju. Ne do të krijojmë kushte më të mira. Ne do të vendosim arsimin në qendër të planit tonë ekonomik për Kosovën. Unë dua t’i realizoj dy synime kryesore bashkërisht me Ju. Dua të përkushtohem që ju të keni cilësinë më të lartë të arsimimit në universitetet tona publike kudo në Republikën e Kosovës. Dhe, që studimet tuaja këtu të përputhen me ofertën që ofrohet në tregun e punës përtej këtyre mureve – theksoi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në fjalimin që ka mbajtur sot para studentëve dhe profesorëve të Universitetit Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”

Prishtinë, 7 prill 2014
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar sot Universitetin Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”, ku është pritur nga udhëheqja e Universitetit. Pas takimit që ka zhvilluar me rektorin dhe drejtuesit tjerë të fakulteteve të Universitetit të Prizrenit, Kryeministri Thaçi i është drejtuar me një fjalim një auditoriumi të gjerë të studentëve dhe profesorëve të këtij universiteti.
 
Në vazhdim, po e japim të plotë fjalimin e Kryeministrit Thaçi:
 
I nderuar Rektor i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”,
Të nderuar profesorë,
Të dashur studentë,

 
Me lejoni që t’ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë ligjeratë por edhe për angazhimin e juaj akademik.
 
Unë dua të shpresoj se kjo pjesëmarrje kaq massive nuk është vetëm që kemi ulur pagesën për semestra.
 
Universiteti i Prizrenit është transformuar nga një ide që ishte më herët në një institucion shumë të rëndësishëm shkencor, institucion serioz dhe vatër e vërtetë e dijes për këtë regjion, edhe për Kosovën, por mund të them edhe për tërë rajonin. Për këtë mirënjohja ju shkon juve profesorë të nderuar, juve studentë të nderuar që tanimë jeni bërë rreth 7000 studentë në Universitetin e Prizrenit. Urime, suksese dhe punë të mbarë.
 
Ndihem tepër i gëzuar, ndihem tepër mirë dhe shumë krenar që mu gjatë qeverisjes sime kryeqyteti i traditës dhe qendra moderne dhe diverse urbane e Prizrenit u bënë me një universitet të respektuar.
 
Pa e zgjatur shumë, sot do të ju flas për dicka që keni secili prej jush studentë të dashur në mendjet e juaja çdo ditë dhe në veçanti që nga dita kur përfundoni studimet tuaja.
 
Dhe cila është ajo ide apo ai mendim? Unë besoj se secili prej jush e dini se për çka duhet të flas.
 
Ju filloni studimet për t’u përgatitur, ju po përmbyllni studimet tash me mundësi të reja për gjetjen e një vendi të punës. Prandaj, sot do të flasim vetëm për mundësitë e krijimit të vendeve të reja të punës për rininë kosovare.
 
Siç edhe kam deklaruar më herët, e theksoj edhe sot, unë në jetën time i kam pasu tri misione të rëndësishme: fitorja e lirisë, bërja e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe tani para vetes kemi një Mision të Ri, atë të zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euro-atlantike. Jam i bindur se ne të gjithë së bashku do të arrijmë ta përfundojmë me sukses të plotë edhe këtë mision.
 
Në muajt e ardhshëm, unë do të shpalos vizionin tim për ekonominë e Kosovës, për modernizimin e shtetit tonë. Sot do të ndaj me ju bindjen time rreth asaj se çfarë mund të bëjmë edhe më shumë për shtetin tonë, por edhe planin tim për realizimin e këtij synimi.
 
Kjo është pikërisht pika e kthesës për vendin tonë. Ky është momenti kur ne nuk jemi më vetëm një shtet i ri, por edhe fillojmë të bëhemi një vend i zhvilluar. Ne kemi hedhur themelet e shtetit në punën tonë shtatëvjeçare.
 
Dhe, tani është koha që punën tonë të deritanishme ta kurorëzojmë me zhvillimin e hovshëm ekonomik të Kosovës. Ky është misioni ynë i ri, të cilin do ta realizojmë bashkërisht: të ndërtojmë një shtet të zhvilluar me vende të reja të punës për të gjithë.
 
Unë do ta përçoj këtë vizion në mbarë Kosovën. Do të vizitoj ndërmarrësit, bizneset e vogla dhe të mesme, ato të mëdha, punëtorët, dhe ata që janë të papunë. Ky mision i ri kërkon përfshirjen e secilit prej nesh dhe natyrisht implementimin e këtij misioni.
 
Unë jam sot këtu në mesin tuaj për të shtjelluar pikënisjen për Kosovën moderne. Për të folur për njerëzit për të cilët ky vend ka nevojë më shumë se kushdo tjetër, për njerëzit të cilëve duhet t’u prijmë, për njerëzit që duhet t’i fuqizojmë, për njerëzit që do të formësojnë të ardhmen e Kosovës. Këta njerëz jeni Ju!
 
Një shteti të zhvilluar i duhet një fuqi punëtore e arsimuar. Kemi rreth gjysmë milion të rinj në shkollat dhe universitetet tona në vendin tonë. Kjo është pasuria më e çmueshme që ka Kosova. Meqë kemi një nga popullsitë më të reja në Evropë, do të jetë pikërisht brezi juaj që do të çojë vendin përpara.
 
Njohuritë tuaja dhe njerëzit në këtë sallë janë ata që do të rrisin bizneset në të ardhmen. Prandaj, ne do të investojmë në ju. Ne do të krijojmë kushte më të mira. Ne do të vendosim arsimin në qendër të planit tonë ekonomik për Kosovën.
 
Unë dua t’i realizoj dy synime kryesore bashkërisht me Ju. Dua të përkushtohem që ju të keni cilësinë më të lartë të arsimimit në universitetet tona publike kudo në Republikën e Kosovës. Dhe, që studimet tuaja këtu të përputhen me ofertën që ofrohet në tregun e punës përtej këtyre mureve.
 
Së dyti, dua ta bëj arsimimin e juaj sa më të lehtë për ju dhe për familjet tuaja. Unë nuk dua që asnjë familje të vuajë për faktin se ata duan t’u mundësojnë fëmijëve tyre arsimim cilësor. Nuk dua që ndonjë prind kosovar të detyrohet të zgjedhë se cilit fëmijë mund t’ia paguajë shkollimin.
 
Arsimimi duhet të jetë i hapur dhe i lirë për të gjithë të rinjtë kosovar.
 
Prandaj, sot ju përkujtoj për vendimin tim se ne do t’i përgjysmojnë pagesat për shkollimin e të gjithë studentëve universitarë. Pra, të gjithë studentët e universiteteve publike do të paguajnë për semestër pesëdhjetë përqind më lirë. Ata që banojnë në konvikte do të paguajnë pesëdhjetë përqind më lirë. Ata që ushqehen në mensë, pesëdhjetë për qind më lirë. Dhe kjo ulje e pagesës përfshin të gjithë, bachelor, master dhe kandidatët për doktoraturë.
 
Në të njejtën kohë dua të potencoj se të gjithë maturantët në Kosovë e që nesër do të jenë brucoshë vitin e parë të studimeve do ta kenë të gjithë gratis.
 
Gjithashtu, do ta rrisim numrin e bursistëve nga 1000 në 1500 bursistë.
 
Në të njejtën kohë, të nderuar profesorë, urime edhe juve rritja e pagave për 25 përqind.
 
Unë vetëm dua t’ju zotohem që Qeveria e Kosovës do t’i mbulojë këto shpenzime për universitetet publike. Pra, rritjen e pagave për profesorët, uljen e pagesës për studentë dhe natyrisht mbikqyrjen financiare të buxhetit dhe mbështetjen e plotë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
 
Dhe, njëherit ju themi se familjet kosovare që kanë më tepër se një student në universitete, do të paguajnë  vetëm për një student, për studentët tjerë nuk do të paguajnë. Të gjithë fëmijët tjerë studentë të rinj do të studiojnë pa pagesë.
 
Kjo do të zbatohet për secilin person të ulur në këtë sallë dhe amfiteatër të këtij universiteti dhe universiteteve tjera publike të Kosovës. Në të njejtën kohë kjo do të respektohet për të gjithë brezat e ardhshëm të studentëve kosovarë.
 
Ky është një vendim i drejtë për ju, një vendim i drejtë për familjet tuaja, për familjet tona. Dhe, një vendim i drejtë për Kosovën. Ky është një investim në të ardhmen e vendit tonë, në të ardhmen e shtetit tonë.
 
Kur ne ua lehtësojmë të rinjve tanë arsimimin, ne krijojmë brezin e ardhshëm të ndërmarrësve dhe liderëve të biznesit dhe të fuqisë punëtore. Kështu, ne përgatitemi për një Kosovë të re, për një Kosovë evropiane, për një Kosovë të zhvilluar.

Investimi në ju është investimi më i mirë që ky vend mund të bëjë. Dhe, kjo është pikërisht ajo që ne duam të bëjmë!
 
Gjatë javëve në vijim ne do të shpalosim edhe në pjesë tjera të Republikës së Kosovës programin tonë ekonomik, të misionit tonë të ri.
 
Fondi i Punësimit, një fond prej një miliard eurosh, investimet në Brezovicë dhe Trepcë, investimet në bujqësi, përkrahja ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe rritja e mirëqenies janë shtyllat e këtij plani.
 
Por, themeli i çfarëdo plani jeni ju. Ju ftoj të më ndihmoni. Ju ftoj të punojmë bashkërisht. Vetëm bashkë do të korrim sukses. Ju ftoj të jeni aktiv jo vetëm këtu në sallat universitare, por edhe në debate kudo që zhvillohen, edhe në debate shoqërore, në media, pse jo edhe në Facebook dhe Tëitter dhe ejani së bashku ta përmbushim misionin tonë të ri për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
 
Të dashur studentë dhe profesorë,
 
Fituam betejën kundër Serbisë për liri, fituam edhe betejën për pavarësi së bashku me miqt tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Tani Kosova ka nevojë për ju që bashkërisht të fiton betejën e tretë – të krijimit të Kosovës Europiane, ku papunësia do të jetë dyfish më e vogël për 4 vitet e ardhshme.
 
Unë e di se kjo është e mundur dhe unë ju ftoj të jeni me mua dhe bashkërisht të realizojmë këtë mision tonin të përbashkët, misionin e ri, misionin për Kosovën e zhvilluar, misionin për Kosovën moderne.
 
Ju falëmnderit!