15.09.2020

Kryeministri Hoti: Adem Mikullovci – ikonë e artit në Kosovë

 

Prishtinë, 15 shtator 2020

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Besnik Tahiri dhe Driton Selmanaj dhe bashkëpunëtorët, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh, para Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, për ish-deputetin dhe aktorin Adem Mikullovci, me rastin e ndarjes nga jeta.

Më këtë rast, kryeministri Hoti, para mediave të pranishme, tha se “po bëjmë nderimet për një figurë që mbetet ikonë e artit në Kosovë, e teatrit dhe televizionit, jo vetëm për një gjeneratë, po për shumë gjenerata në Kosovë”.

“Besoj që vepra e tij artistike do të mbetet në arkivin dhe do të mbetet vepër dhe trashëgimi e shtetit të Kosovës”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se “përtej kësaj, Adem Mikullovci ka luajtur rol kyç në faza të caktuara të artikulimit të idesë së shtetit të Kosovës, të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe për shtet”.

Po ashtu, kryeministri Hoti theksoi: “Do ta kujtoj me mall edhe për bisedat shumë të këndshme që kam pasur me të gjatë kohës sa ishim në Kuvend, në legjislaturën paraprake. U shpreh ngushëllime familjes së tij, miqve dhe gjithë komunitetit artistik dhe qytetarëve për ndarjen nga ne të këtij artisti të madh!”

Ndërkaq, në librin e zisë , kryeministri Hoti shkroi: “Adem Mikullovci mbetet artisti i shumë gjeneratave në Kosovë. Do të kujtoj me mall paraqitjet e tij në plot vepra artistike teatrale dhe televizive. Veprimtaria e tij do të mbetet pasuri shtetërore e shtetit të Kosovës, për të cilin u angazhua edhe në kapacitete politike në momente kyçe të ndërtimit të shtetit të Kosovës.”

 

Agjenda

Të gjitha