09.01.2021

Kryeministri Hoti: Do të vazhdojmë ta mbështesim sektorin privat

Prizren, 9 janar 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka takuar sot përfaqësuesit e bizneseve në komunën e Prizrenit, me të cilët ka zhvilluar një bashkëbisedim për të vlerësuar punët që janë bërë në vitin 2020, por edhe për t’u dakorduar për mbështetjen në vazhdim.

Në fjalën e tij, Kryeministri Hoti tha se ka qenë një vit që do të mbahet mend për sfidat shëndetësore dhe ekonomike që i kemi kaluar gjatë pandemisë, e cila ka prekur çdo familje dhe biznes pa përjashtim.

Kryeministri Hoti tha se kanë pasur një program shumë të pasur sa i përket pjesës ekonomike dhe se fokusi kryesor gjatë vitit 2020 ka qenë tek problemet ekonomike që ka sjellë pandemia.

Kryeministri Hoti foli edhe për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike duke e quajtur si më të mirën në rajon e më gjerë.

Kryeministri Hoti përmendi edhe miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili gjatë kohës sa është në fuqi deri në dhjetor të vitit 2021 tha se mundëson që të futen në ekonomi rreth 560 milionë euro në forma të ndryshme, dhe se janë duke i bërë përgatitjet për secilin dikaster që të fillohet me zbatimin e tyre.

Ndër tjera ai tha se janë fokusuar shumë edhe në bujqësi, duke theksuar veçmas dyfishimin e subvencioneve, duke shtuar se me këtë dyfishim është arritur që të mbulojnë qind për qind koston e bizneseve në bujqësi.

Ai i njoftoi të pranishmit se janë në përgatitje të një pakoje të re fiskale, e cila do të jetë në mbështetje të biznesit.

“Çështja e energjisë është shumë e ndjeshme, dhe ne kemi bërë të gjitha përgatitjet që gjatë vitit 2021 të liberalizojmë komplet tregun e energjisë, ku bizneset që janë konsumues të mëdhenj të energjisë elektrike mund ta blejnë atë në tregun e lirë”, tha Kryeministri Hoti.

Ai nënvizoi se do të zgjasin afatin e investimeve strategjike që ka mbaruar në dhjetor të 2020-ës, si dhe do të mbështesin fuqimisht fondin për garanci të kredive.

Sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit, Kryeministri Hoti theksoi se kjo marrëveshje ekonomike e fuqizon Kosovën në aspektin politik dhe ekonomik, ku në aspektin ekonomik, në katër vjetët e ardhshme i sjell vendit rreth 1 miliard dollar amerikan investime.

Kryeministri Hoti tha se ajo çfarë u intereson bizneseve është edhe siguria juridike, derisa i siguroi ata se para vetës kanë një qeveri që nuk i ndërron politikat e veta çdo natë, dhe mbi të gjitha është qeveri e qendrës së djathtë që nënkupton se e mbështet biznesin privat.

Agjenda

Të gjitha