06.01.2021

Kryeministri Hoti: I privilegjuar që në mandatin e kësaj qeverie u miratua ky vendim për FSK-në

Prishtinë, 6 janar 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, një ditë pasi që Kuvendi miratoi vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës, vizitoi kazermën “Adem Jashari” në kryeqytet.

Kryeministri Hoti para pjesëtarëve të FSK-së tha se, vendimi i djeshëm është ndër hapat më të rëndësishëm historikisht, që ka bërë Kosova si shtet dhe si Forcë e Sigurisë, drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike.

‘’Besoj se qytetarët dhe liderët tepër vizionarë kanë pasur mundësi ta parashikojnë në fillim të viteve ’90-ta, atëherë kur është themeluar Ushtria e Republikës së Kosovës, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, që shteti i Kosovës të jetë pjesë dhe të integrohet plotësisht në strukturat euroatlantike’’, nënvizoi ai.

Kryeministri Hoti theksoi se qytetarët e Kosovës e dinë se sa e rëndësishme është për një popull që ka nevojë për paqe dhe stabilitet, të ketë mbështetjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ai nënvizoi se ndjehet vërtetë i privilegjuar që në mandatin e kësaj qeverie u miratua vendimi për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Gjatë vizitës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, kryeministri Hoti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe nga anëtarë të kabinetit të tij.

Agjenda

Të gjitha