17.02.2021

Kryeministri Hoti mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Veprimtaria atdhetare e heroit të kombit Sali Çekaj”

Prishtinë, 17 shkurt 2021

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 13-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Veprimtaria atdhetare e heroit të kombit Sali Çekaj”.

Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se është nder dhe kënaqësi të merr pjesë në këtë ekspozitë, duke theksuar se 20 vjet pas luftës është e rëndësishme që të sistemojnë gjithë dokumentacionin e nevojshëm arkivor për gjeneratat e ardhshme, të njerëzve që kanë sakrifikuar më së shumti për lirinë që e gëzojmë sot.

“Në këtë ekspozitë po shohim vepra që janë kombinim i jashtëzakonshëm i një personi që ka kontribuar në luftë si luftëtar dhe i një intelektuali që ka ditur t’i kombinojë ato në mënyrë të shkëlqyeshme në interesin më të mirë të një realizimi  të një vizioni për shtetin e pavarur të Kosovës”, tha kryeministri Hoti.

Në hapje të ekspozitës të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.