10.06.2020

Kryeministri Hoti mori telegram urimi nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron

 

 

Prishtinë, 10 qershor 2020

 

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë sot një telegram urimi nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka uruar atë me rastin e marrjes së detyrës në krye të ekzekutivit të vendit.

 

Në telegramin e urimit të presidentit Macron thuhet:

 

Z.Kryeministër,

 

Në emrin tim dhe në emër të popullit francez, ju dërgoj përgëzimet e mia të sinqerta dhe urimet e mia më të mira për sukses në ushtrimin e përgjegjësive tuaja të reja si Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Franca, e cila ishte vendi i dytë që njohu Kosovën si një shtet i pavarur një ditë pasi ajo shpalli pavarësinë dymbëdhjetë vjet më parë, ka qëndruar në anën e saj që nga ajo kohë.

Unë do të doja t’ju shpreh gjithë solidaritetin tim dhe atë të popullit francez me  popullatën kosovare, e sprovuar po ashtu nga pandemia COVID-19. Duke mobilizuar më shumë se 3 miliardë euro për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të përballuar këtë krizë të paparë, Bashkimi Evropian ka treguar përkushtimin e tij të plotë për rajonin tuaj.

Qeveria juaj e merr detyrën në një moment kyç për Kosovën. I takon asaj të ndërmarrë reforma thelbësore: konsolidimin e shtetit të së drejtës, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Franca do t’ju mbështesë në këto reforma në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe përafrimit evropian të venit tuaj.

Ju takon po ashtu juve të përballeni me një sfidë tjetër thelbësore për Kosovën duke rifilluar dialogun me Serbinë dhe duke rikërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes tuaj përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht detyruese.

Prej më shumë se një viti, Franca dhe Gjermania janë angazhuar për rifillimin e dialogut, i cili do të mund të fillohej gjatë një samiti të ardhshëm në Paris. Unë besoj në pjesëmarrje tuaj në këtë samit dhe në gatishmërinë tuaj për të marrë masat e nevojshme për të bërë të mundur rifillimin e dialogut, ndërkohë që Serbia gjithashtu do të duhet të bëjë pjesën e saj të përpjekjeve.

Sapo të rifillojë dialogu, i takon ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian të mbështesë përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje. Roli i BE-së duhet të mbetet qendror, sepse kjo mosmarrëveshje është sfidë e sigurisë evropiane dhe sepse sikurse Kosova edhe Serbia kanë synim integrimin në Bashkimin tonë. Përfaqësuesi i lartë Josep Borrell dhe përfaqësuesi i ri special Miroslav Lajçak, gëzojnë besimin tim të plotë për të udhëhequr këtë ndërmjetësim.

Duke shpresuar që t’ju takoj së shpejti dhe duke ripërtërirë urimet e mia më të mira për suksese në përgjegjësitë tuaja të reja, ju lutemi të pranoni zoti Kryeministër sigurinë e vlerësimit tim shumë të lartë.

Me respekt, Emmanuel Macron