17.02.2021

Kryeministri Hoti: Përherë mirënjohës presidentit Rugova, Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për Pavarësinë e vendit

Prishtinë- Prekaz, 17 shkurt 2021

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti bashkë me u.d. Presidenten, Vjosa Osmani, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Rrahman Rama dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, për nder të shënimit të 17 Shkurtit, 13- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit nga Garda Ceremoniale, në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

I shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, në këtë ditë të veçantë, kryeministri në detyrë Hoti bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh te varri i presidentit Ibrahim Rugova.

“Sot bëmë nderimin tek ati themeltar i Republikës së Kosovës që është projekti më i madh 30- vjeçar nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e këndej, është projekti më i madh i fuqizimit të kombit shqiptar me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, pjesë e familjes euroatlnatike”, tha kryeministri Hoti.

Më tej, ai tha se qytetarët e Kosovës do të jenë përherë mirënjohës presidentit Rugova dhe gjithë atyre që kanë rënë për Pavarësinë e vendit, duke uruar në këtë ditë të veçantë të gjithë qytetarët pa përjashtim në përvjetorin e pavarësisë.

Kryeministri Hoti ka bërë homazhe edhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, në 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Bashkë me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe anëtarë nga kabineti qeveritar bëmë nderime tek të rënët e familjes Jashari, për të nderuar Familjen Jashari për sakrificën më sublime, më të lartë që mund të bëjë dikush për pavarësinë e vendit. Duke nderuar Familjen Jashari ne nderojmë të gjithë të rëntë për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”, tha kryeministri Hoti.

Agjenda

Të gjitha