11.01.2021

Kryeministri Hoti premton themelimin e Fondit Emergjent për sanimin e dëmeve nga vërshimet


Drenas, 11 janar 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka vizituar sot fshatin Dobroshec të Komun.ës së Drenasit,  një pjesë e të cilit është bllokuar, pasojë e dëmtimit të rëndë të urës nga vërshimet e ditëve të fundit.

“Është mirë që nuk kemi pas viktima në njerëz, kjo është kryesorja. Janë shkaktuar dëme të mëdha në prona private më vërshime nëpër shtëpi. FSK-ja ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në evakuimin dhe strehimin e përkohshëm të disa qytetarëve në Gjakovë, në veçanti në Aeroportin e Gjakovës, por edhe në vende të tjera”, tha kryeministri Hoti.

Ai nënvizoi se në Qendrën e Situatave, e cila është pjesë e Zyrës së Kryeministrit, janë duke e përcjellë nga afër, gjatë 24 orëve, situatën e rëndë me vërshimet, në shumicën e komunave në Kosovë.

Kryeministri Hoti paralajmëroi themelimin Fondit Emergjent, për sanimin e dëmeve nga vërshimet, për t’ju dalë në ndihmë familjeve që kanë pësuar dëme materiale dhe që jetojnë në kushte të vështira.

Gjatë vizitës në fshatin Dobroshec të Komunës së Drenasit, kryeministri Hoti ishte i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Agjenda

Të gjitha