08.02.2021

Kryeministri Hoti: Shuma e projekteve iniciale shkon në 1 miliard dollar me maturitet 25 vjet

Prishtinë, 08 shkurt 2021

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka zhvilluar një mëngjes pune me përfaqësuesit e odave ekonomike dhe të bizneseve, të cilët i njoftoi gjerësisht rreth përfitimeve nga marrëveshja për nxitje të investimeve.

‘’Është një mundësi e jashtëzakonshme për të financuar zhvillimin ekonomik të Kosovës në vitet që vijnë. Po hapet një dritare e re ku sektorët nuk janë të kufizuar. Sigurisht pjesa e sektorit publik ka me qenë kryesisht në infrastrukturë, në energji, në ambient, në broadband network dhe në gjëra të tilla, por në sektorin privat, vetëm qielli është kufizim, çka t’u bije ndërmend, vetëm duhet të ketë kuptim biznesor dhe ekonomik, projekti që e financojnë’’ tha kryeministri Hoti.

Ai saktësoi rëndësinë e financimit direkt në formë të kredive që mund të marrin qeveria, institucionet publike, ato private dhe kompanitë e ndryshme nga institucionet financiare amerikane. Mundësia e dytë është investimi në ekuitet dhe instrumenti i tretë është garantimi i investimeve. Një instrument që është i ngjashëm me fondin Kosovar për Garanci kreditore.

‘’Shuma totale për këto projekte iniciale shkon në 1 miliard dollarë me maturitet 25 vjet. Unë besoj që kjo është mundësia më e mirë që e ka pas Kosova nga viti ’99 e këndej për të hapur një dritare të jashtëzakonshme të zhvillimit afatgjatë’’ theksoi Kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti tha se, tregu financiar në Kosovë nuk është në nivelin që duhet të jetë, për të absorbuar të gjitha këto instrumente financiare. Ai paralajmëroi takime në kuadër të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, për të marrë inputet bashkë me ekspertët ndërkombëtarë dhe Bankën Qendrore që të krijohet korniza e nevojshme ligjore në mënyrë që të funksionalizohen këto instrumente financiare.