31.07.2020

Kryeministri Hoti: T’i respektojmë masat – jeta është mbi të gjitha

 

 

Prishtinë, 31 korrik 2020

 

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar sot Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Klinikën Infektive, për t’u njoftuar nga afër për situatën në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

 

Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se kishte ardhur për të takuar stafin shëndetësor që edhe në këtë ditë feste janë në krye të detyrës, në front, të cilin nuk mund ta lënë.

 

“E di që janë lodhur, tash e gjashtë muaj përballen me këtë situatë. Unë jam sot këtu për të treguar vlerësimin tonë për punën që po bëjnë, për të dëgjuar vlerësimin e tyre për situatën nëpër të cilën po kalojmë, parashikimet për javët dhe muajt e ardhshëm dhe përgatitjet që ne duhet të bëjmë”, tha kryeministri Hoti.

 

Kryeministri Hoti, më tej tha se gjendja është e rëndë, derisa ka falënderuar të gjithë qytetarët për respektimin e masave edhe në këtë ditë feste.

“Apeli që kemi bërë si Qeveri bashkë me të gjitha institucionet tjera dhe akterët e përfshirë në menaxhimin e kësaj situate, ka dhënë efekt. Unë shpresoj të vazhdoj kjo gjendje, që njerëzit plotësisht t’i respektojnë masat, të jenë të vetëdijshëm se jeta është mbi të gjitha dhe se vetëm kështu ne mund ta menaxhojmë këtë situatë”, tha kryeministri Hoti.

 

Pasi ka falënderuar të gjithë stafin shëndetësor për punën që po bëjnë, kryeministri Hoti i ka uruar ata edhe për festën e Bajramit, duke thënë se “ndonëse nuk janë afër familjeve të tyre, duhet të jenë në vendin e tyre të punës për të kryer një mision kombëtar për t’i dalë në ballë kësaj pandemie, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre”, tha kryeministri Hoti.

 

Agjenda

Të gjitha