23.10.2020

Kryeministri Hoti u prit nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi

 
 Shkup, 23 tetor 2020

Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, është pritur edhe nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ku biseduan për zhvillimet politike në vend dhe rajon, me theks të veçantë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut ndajnë interesa të përbashkëta në fushën politike, ekonomike, legjislative dhe më tej, përfshirë këtu edhe aspiratat integruese në familjen evropiane”,  ka theksuar Kryeministri Hoti, ndërsa bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve e cilësoi si shembull të mirë të bashkëpunimit fqinjësor.

Temë diskutimi në këtë takim ishte edhe procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, me ç’rast Kryeministri Hoti potencoi faktin se duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare, që nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, e cila do t’i kontribuonte paqes, stabilitetit dhe rrugës euroatlantike të rajonit.

Kryeministri Hoti dhe Kryetari Xhaferi biseduan edhe për sfidat që po përballet rajoni dhe bota, përkatësisht me luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike, ku i pari i Qeverisë së Kosovës precizoi përkushtimin maksimal dhe masat e ndërmarra për tejkalim të situatës së krijuar nga ky armik global dhe kthimit të gjendjes në normalitet.