07.04.2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në zyrën e tij shefin e Zyrës Belge në Kosovë, Jean-Louis Servais

Prishtinë, 7 prill 2021

Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Kurti u takua në zyrën e tij me Shefin e Zyrës Belge në Kosovë, Jean-Louis Servais. Ai pranoi urime nga z. Servais për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe pozitën e tij të re. Sipas tij, në këto zgjedhje qytetarët e Republikës së Kosovës kanë përçuar një mesazh pozitiv mbi pjekurinë demokratike në vend. Belgjika gjithmonë ka besuar në Kosovën dhe në popullin e saj, tha ndër të tjera z. Servais, duke e vlerësuar atë, vend me përparësi të mëdha, veçanërisht për shkak të moshës së re mesatare të popullatës. Ai po ashtu tha se Belgjika e mbështetë Republikën e Kosovës në synimet e saj për intergrim evropian duke përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën e sotme dhe urimet. Ai tha se prioritetet e tij dhe qeverisë së tij janë drejtësia dhe punësimi, porse në ballafaqim me pandeminë prioritet mbi prioritete është sigurimi sa më parë i dozave të reja të vaksinave kundër Covid-19.

Kryeministri Kurti e njoftoi z. Servais për mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe për masat e reja anti Covid-19, të cilat e komplementojnë atë proces.

Në takim u bisedua edhe për mundësitë dhe format e shtimit të investimeve ekonomike dhe shkëmbimit tregtar midis dy vendeve tona, me theks të posaçëm te mërgata jonë.