07.07.2020

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është pritur në takim nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron


Paris, 7 korrik 2020

Sot në Pallatin 
Elysee në Paris, Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe pjesa tjetër e delegacionit të Kryeministrit, është pritur nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

Kjo është vizita e parë bilaterale në Pallatin 
Elysee e një kryeministri të Kosovës pas shumë vitesh.

Marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera. Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e 
shtetndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë.
Në takim u bisedua për zhvillimet në Kosovë dhe rajon me fokus në perspektivën euro-integruese, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Hoti e siguroi Presidentin 
Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës.
Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Hoti theksoi se Kosova është e përkushtuar për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Presidenti 
Macron dhe Kryeministri Hoti u pajtuan që të dy vendet të bashkëpunojnë për shkëmbimin e të dhënave në mes të dy ministrive të Brendshme sa i përket rendit dhe ligjit, të punohet për promovimin e shkëmbimeve ekonomike në mes Francës dhe Kosovës, si dhe të punohet së bashku për promovimin e frankofonisë në Kosovë.

Në fund të takimit, Kryeministri Hoti e ftoi Presidentin 
Macron për vizitë në Kosovë, të cilën ftesë Presidenti e mirëpriti. Kjo vizitë do të ndodhë në të ardhmen në një moment të përshtatshëm për Presidentin Macron.