30.06.2015

Kryeministri Isa Mustafa u prit nga Kancelarja Gjermane, Angela Merkel (VIDEO)

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është pritur të martën në Berlin me nderime shtetërore nga Kancelarja Federale e Gjermanisë, Angela Merkel.

Berlin, 30 qershor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është pritur të martën në Berlin me nderime shtetërore nga Kancelarja Federale e Gjermanisë, Angela Merkel.

Pas ceremonisë ushtarake, kryeministri Mustafa dhe Kancelarja Merkel janë takuar në Zyrën e Kancelares Federale.

Në takimin ndërmjet Kryeministrit Isa Mustafa dhe Kancelares Angela Merkel, ku ishin të pranishëm edhe Zëvendëskryeministri i parë Hashim Thaçi, Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, shefja e stafit e kryeministrisë, Vlora Dumoshi dhe shefi i kabinetit, Sokol Havolli, është biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për proceset në Kosovë, për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Pas takimit, Kancelarja Merkel dhe Kryeministri Mustafa kanë mbajtur një konferencë për medie.

Fjala hyrëse e Kancelares Angela Merkel, para gazetarëve.

Të nderuara zonja dhe zotërinj.

Gëzohem që mund të përshëndes sot në Berlin, Kryeministrin kosovar, Isa Mustafa. Ne si Republikë Federale e Gjermanisë jemi ndër vendet e para që e kanë njohur Kosovën. Sot, janë mbi 100 shtete që tashmë kanë realizuar njohjen e Kosovës. Ne tërë kohën që nga njohja e Kosovës përpiqemi që proceset politike para së gjithash përkitazi me Serbinë të normalizohen ashtu që vërtetë të mund të themi që i gjithë zhvillimi merr një drejtim të mbarë.

Ne për momentin jemi përsëri në një fazë interesante, ku zhvillohen edhe pika të tjera të bashkëpunimit me Serbinë dhe të bisedimeve me Serbinë. Kryeministri sapo vjen nga Brukseli dhe unë natyrisht i dëgjova përparimet që mund të arriheshin në këtë kontekst. Disa probleme ende nuk janë zgjidhur. Ne ishim të të njëjtit mendim që bisedat përkatëse duhet të zhvillohen me intensitet të lartë, sepse natyrisht vazhdimi i kësaj çështjeje është i rëndësisë së madhe si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën përkitazi me përafrimin në Bashkimin Evropian. Përkitazi me Kosovën këtu bëhet fjalë për Marrëveshjen e Asociimit. Përkitazi me Serbinë bëhet fjalë për hapjen e kapitujve. Pas pak ditësh unë vetë do të udhëtoj në Serbi. Për këtë arsye pastaj jepet edhe mundësia që të flitet edhe një herë me përgjegjësit serbë.

Natyrisht jemi preokupuar në radhë të parë edhe me situatën në Kosovë në tërësi dhe kemi analizuar edhe gjendjen ekonomike. Këtu do të ketë edhe një takim të kryeministrit me Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane. Para së gjithash duam të veprojmë duke mbështetur, kur bëhet fjalë për prodhimin e energjisë. Këtu bëhet fjalë për oferta tashmë ekzistuese të Bilfinger-it, për të aftësuar eventualisht një termocentral me qymyr dhe me këtë të përgatisim edhe më shumë stabilitet në furnizimin me energji.

Kryeministri e ka bërë të qartë, se edhe në fushën e bujqësisë dëshirohen të arrihen përparime. Andaj për këtë arsye kam propozuar edhe një takim të ministrave tanë të bujqësisë që këtu të zbulohen mundësi të kooperimit. Sepse të gjithë e dimë: Në Kosovë papunësia është shumë e lartë dhe pikërisht për njerëzit e rinj duhet të krijohet një perspektivë. Kemi edhe disa lande që bashkëpunojnë me Kosovën në fushën e arsimimit profesional. Edhe në lidhje me këtë kemi biseduar për mundësi të mëtejme të bashkëpunimit.

Këtë po e them edhe para sfondit të numrit shumë të lartë të refugjatëve nga Kosova në Gjermani që nga viti 2014, dhe unë këtu dua edhe të përsërisë, se gati se nuk ka kurrfarë gjasash për të marrë miratimin si azilkërkues në Gjermani. Kjo do të thotë, se ne dëshirojmë të punojmë në atë që njerëzit e rinj në Kosovë të kenë mundësi më të mira që atje ta konceptojnë të ardhmen e tyre. Kërkesat për azil në Gjermani në masë të madhe s’kanë gjasa për miratim.

Ne pastaj biseduam edhe për situatën në rajonin e Kosovës: rreth bashkëpunimit me Serbinë, situatën në Maqedoni por edhe për situatën përkitazi me shtetet e tjera të Ballkanit. Ju e dini, se në analogji me Konferencën për Ballkanin Perëndimor do të zhvillohet një konferencë e tillë edhe në Vjenë, në gusht. Në ndërkohë ka ndodhur shumëçka: U hartuan projekte të infrastrukturës me Komisionin, të cilat i lidhin edhe vendet, e edhe në fushën e shkëmbimit të të rinjve ka përparime. Ne kemi një interesim të lartë që me perspektivën evropiane të të gjitha vendeve në rajon të forcohet edhe bashkëpunimi ndërmjet këtyre vendeve.

Në këtë kuptim edhe një herë mirëserdhët përzemërsisht dhe faleminderit për bisedën!

Fjala hyrëse e kryeministrit Isa Mustafa, para gazetarëve.

Faleminderit shumë zonja Kancelare.

Unë vërtetë e falënderoj Kancelaren për kohën që ka ndarë dhe për një bisedë shumë përmbajtjesore dhe miqësore të cilën ne e kemi pas sot, për shumë probleme që e preokupojnë Kosovën, por edhe për aspiratat tona që ne të jemi pjesë e familjes evropiane, pjesë e Bashkimit Evropian dhe të përmbushim të gjitha kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ne po bëjmë përpjekje t’i zgjidhim problemet e brendshme të cilat i kemi në Kosovë. E njoftova edhe Kancelaren Merkel për këtë. Kemi mjaft probleme me papunësinë e madhe, me nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik, me nivelin e lartë të varfërisë, me strukturën jo adekuate ekonomike, me papunësinë strukturore të cilën ne akoma po e bartim si pasojë e tranzicionit ekonomik që e kemi, dhe të bilancit tregtar që e kemi mjaft të keq. Jemi të interesuar që të kemi një përkrahje më të madhe ekonomike nga Gjermania, sepse kemi shumë njerëz tanë në që punojnë në Gjermani për një kohë të gjatë, të cilët i kanë ndihmuar zhvillimit ekonomik të Kosovë me remitencat e tyre dhe po ashtu kemi pas një përkrahje, ndër përkrahjet më të mëdha të çdo vendi nga Gjermania, qoftë në investimet e drejtpërdrejta që kanë ndodhur në Kosovë, qoftë në asistencën për zhvillimin ekonomik, sidomos të objekteve infrastrukturore të cilat janë të rëndësisë themelore të zhvillimit tonë.

Unë i shpreha falënderimet tona Kancelares lidhur me iniciativën e saj rreth programit, përkatësisht projekteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat tani kanë hyrë në një rrugë shumë të rëndësishme të zgjidhjes të problemeve të tyre infrastrukturore, të cilat do të ndikojnë edhe ne standardet e këtyre projekteve, por edhe në lidhjen që këto vende do ta kenë ndërmjet vete me ç’ rast do të racionalizohet komunikacioni dhe do të racionalizohen edhe shpenzimet e këmbimeve ekonomike që do të bëhen mes tyre.

Ne po zhvillojmë dialogun me Serbinë, jemi në një fazë të rëndësishme të këtij dialogu. Natyrisht se dialogu nuk është i lehtë, është një vend ku ne do të bëjmë kompromise dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkëta. Zhvillimi i këtij dialogu ka krijuar një relaksim të marrëdhënieve me Serbinë dhe të integrimit të komunitetit serb në shoqërinë kosovare dhe në zgjidhjen e problemeve të tyre. Në proceset e ardhshme jemi të interesuar që sa më shpejt të nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim Asocim, në mënyrë që të fitojmë të drejtën për marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Dhe po ashtu kemi nevojë që vendi ynë pas përmbushjes së të gjitha kritereve teknike që janë paraqitur para nesh, të fitojë liberalizimin e vizave në mënyrë që qytetarët tanë të kenë mundësi të qarkullimit në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, ashtu siç qarkullojnë edhe qytetarët e tjerë.

Ju faleminderit.

Pas takimit me Kancelaren Merkel, kryeministri Isa Mustafa është takuar edhe me ministren e Shtetit nga Landi i Baden-Wurttemberg, Silke Krebs. ​