08.06.2021

Kryeministri Kurti priti në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck

Prishtinë, 8 qershor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck, së bashku me Ambasadorin Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Vlora Tuzi Nushi, Shefe e zyrës së UN Women në Kosovë.

Ambasadorja Hernmarck ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Suedisë për bashkëpunim në mes dy vendeve si dhe prioritetet e kryesimit suedez të OSBE-së për vitin 2021. Poashtu, u diskutuan mundësitë për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Suedisë si dhe për finalizimin e strategjisë së re bilaterale mes dy vendeve.

Gjatë takimit, ambasadorja Hernmarck dhe Ambasadori Davenport e njoftuan kryeministrin Kurti lidhur me përgatitjet për vizitën e ardhshme të Ann Linde, Ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë, njëherit kryesuese e OSBE-së.