20.03.2020

Grupi Parlamentar “6 Plus” kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme

Prishtinë, 20 mars 2020

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim deputetët e Grupit Parlamentar “6 Plus”, njëherësh partner në koalicionin qeveritar.

Në takim kryeministri Kurti i njoftoi deputetët se situata në vend pas shfaqjes së Coronavirusit në Kosovë është stabile dhe masat e marra nga qeveria janë të mjaftueshme dhe po e mbajnë gjendjen nën kontroll.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e “6 Plus” kërkuan nga kryeministri një përkrahje të shtuar nga Qeveria për komunitetet joshumicë në këtë situatë dhe vlerësuan se nuk ka arsye për panik dhe janë kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Ata po ashtu shprehën kërkesën për heqjen e tarifës në mallrat që importohen nga Serbia, për të cilën kryeministri Kurti tha se së shpejti do të fillojë implementimi i planit të tij për heqjen e kësaj mase në faza, duke e zëvendësuar atë me reciprocitet.

Të dyja palët u pajtuan se Kosovës në këtë situatë i duhet stabilitet politik për ta tejkaluar sa më lehtë këtë gjendje.