29.04.2021

Kryeministri Kurti u prit në takim nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi

Bruksel, 29 prill 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, është pritur në takim nga Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim.

Në takim u bisedua për procesin e liberalizimit të vizave dhe kryeministri Kurti përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin sa më parë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kryeministri Kurti theksoi angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma dhe e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi.

Ai falënderoi Komisionin për punën që po bën për të bindur vendet anëtare skeptike për mbështetjen e një vendimi pozitiv në Këshill. Kryeministri Kurti tha që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian.

Në takim ishin edhe zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj.