29.04.2021

Kryeministri Kurti u prit në takim nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Bruksel, 29 prill 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministren, njëherësh ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë ditës së sotme është pritur në takim nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Kryeministri Kurti falënderoi presidenten von der Leyen për mbështetjen e BE-së në ballafaqimin e Republikës së Kosovës me pandeminë COVID-19 nëpërmjet asistencës financiare dhe sigurimit të vaksinave nëpërmjet mekanizmit COVAX. Ai falënderoi Komisionin e BE-së për përpjekjet për të siguruar dozat e reja të vaksinave sa më shpejt të jetë e mundur për Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti theksoi prioritetet e Qeverisë për investime që ofrojnë vende të reja të punës dhe reforma në drejtësi. Ai theksoi se me një qeveri që ka punësimin dhe drejtësinë në fokus, është shans i mirë edhe për Bashkimin Evropian që të dëshmojë se reformat për Ballkanin Perëndimor funksionojnë.

Agjenda

Të gjitha