27.11.2019

Kryeministri në detyrë Haradinaj: Jam krenarë që sot Ushtria jonë është vlerë e shtuar e sigurisë në rajon dhe botë, me synimin që të jetë pjesë e NATO-së

Prishtinë, 27 nëntor 2019

“Të jesh në paqe me vetën dhe fqinjët, do të thotë se vlerat tona të traditës dhe lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e prirë nga Komandanti legjendar Adem Jashari, janë vlera përbërëse të lirisë, por po ashtu edhe vlera që bashkohen me vlerat perëndimore”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,  në ceremoninë e shënimit të 27 Nëntorit “Dita e Forcës”, që u mbajt në Kazermën e FSK-së “Adem Jashari”.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se ditëlindja e parë si ushtri e rregullt është nderi i këtij populli dhe këtij atdheu.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj shprehu mirënjohje të thellë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve evropianë, duke thënë se falë shpirtit tonë liridashës dhe mbështetjes së botës demokratike, konform idealeve universale të lirisë, sot jemi vet të lirë dhe jetojmë në paqe me të tjerë.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, familjarë të komandantit legjendar Adem Jashari, dhe personalitete të tjera të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Haradinaj, në ceremoninë e shënimit të Ditës së Forcës:

I nderuari president i Republikës së Kosovës, shkëlqesia Juaj z. Hashim Thaçi,

I nderuar zëvendëskryeministër Hoxhaj,

I nderuar ministër i Mbrojtjes, Rrustem Berisha

I nderuar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Rama,

Të nderuar eprorë, oficer të tjerë të FSK-së, ushtarë e gjithë ju prezentë

E përshëndes prezencën e korit diplomatik, të atasheve ushtarak, familjarëve të dëshmorëve,

I nderuar Bekim Jashari.

Ditëlindja e parë si ushtri e rregullt është nderi i këtij populli dhe këtij atdheu. Kur si sot, para një viti miratuam tri ligjet për ushtrinë tonë kam deklaruar se ne po vijmë në paqe, dhe vërtet ne për herë të parë në historinë tonë jemi të zotë ta garantojmë paqen në vend dhe rajon dhe t’i përmbushim detyrimet kushtetuese në mbrojte të sovranitetit dhe integritetit territorial.

Rreshtimet gjeopolitike po lëvizin dhe ne duhet të jemi të aftësuar t’u përgjigjemi sfidave, siç janë shtrirja e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor përmes kërcënimeve hibride. Por, vlerat e lirisë dhe tërësia territoriale janë bazike për ne dhe mbeten të panegociueshme përballë cilitdo rrezik.

Mirënjohje e thelle Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve evropianë, sepse falë shpirtit tonë liridashës dhe mbështetjes së botës demokratike, konform idealeve universale të lirisë sot jemi vet të lirë dhe jetojmë në paqe me të tjerë.

Pra Kosova, i përket botës që prinë Amerika dhe në këtë rreshtim jemi dhe mbetemi.

Të jesh në paqe me vetën dhe fqinjët, do të thotë se vlerat tona të traditës dhe lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e prirë nga Komandanti legjendar Adem Jashari, janë vlera përbërëse të lirisë, por po ashtu edhe vlera që bashkohen me vlerat perëndimore.

Dje Ushtria e Kosovës me vendim të Institucioneve të vendit shkoi në Shqipëri në bazë të Ligjit për pjesëmarrjen e FSK-së në operacione jashtë vendit për kërkim dhe shpëtim, si dëshmi se jemi të vlefshëm për vendin, për bashkëkombësit tanë, por edhe për tërë rajonin për çfarëdo emergjencash të çfarëdo natyre.

Jam shumë krenarë sot, kur Ushtria jonë është vlerë e shtuar e sigurisë në rajon dhe botë, me synimin që të jetë pjesë e NATO-së me Kosovën në rreshtin e saj, si njësi e rritur, pra të jetë e gatshme të mbrojë lirinë, demokracinë dhe dinjitetin e njeriut.

Jam i lumtur po ashtu, që ky rresht i yni i paqes në të cilin shërbejnë qytetarët e vendit, pra ushtarët, oficerët dhe nënoficerët e të gjitha komuniteteve, sot nderojnë Kosovën, por nderojnë po ashtu edhe aleatët e lirisë.

Urime dita jote Ushtri!

Urime rrita jote Kosovë!

Faleminderit.