09.01.2020

Kryeministri në detyrë Haradinaj: Kosova është e fokusuar në avancimin e partneritetit me shtetin gjerman

Prishtinë, 9 janar 2020

“Kosova dhe Gjermania suksesshëm kanë thelluar bashkëpunimin bilateral në fushën politike dhe ekonomike, si një e arritur e madhe strategjike për vendin dhe rajonin”, kështu tha Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me Susanne Schütz, Drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend dhe rajon si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Fillimisht, kryeministri në detyrë Haradinaj e ka falënderuar znj. Schütz, për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, duke thënë se Kosova është falënderuese për një shtet mik siç është Gjermania.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj e ka njoftuar znj. Schütz, për proceset nëpër të cilat është duke kaluar Republika e Kosovës, me theks suksesin e Kosovës në procesin e fundit zgjedhor në vend dhe pritjet për konstituimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re dhe marrjen e përgjegjësive për proceset e rëndësishme që e presin vendin.

“Kosova ka arritur të krijojë aleat të fuqishëm dhe përkrahja e Gjermanisë është tejet e nevojshme për të vazhduar integrimin e vendit në familjen e madhe evropiane dhe për mundësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, kushtet për të cilin fakt, vendi tashmë i ka plotësuar”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se Kosovës ende i duhet mbështetja e Gjermanisë në zhvillimin ekonomik, anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtar dhe rrugën e saj euroatlantike.

“Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman në Prizren është një prej shembujve të mirë se si mund të rritet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona, andaj, Kosova është e gatshme dhe mirëpret investimet gjermane”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, dhe vlerësoi se Kosova është e fokusuar në avancimin e partneritetit me shtetin gjerman, siç është punuar shumë në jetësimin e projekteve ekonomike si ITP në Prizren dhe Sowi Kosova dhe ngjashëm edhe në aspektin politik, duke e falënderuar Gjermaninë për qëndrimin konsistent në mbrojtjen e integritetit territorial të vendit.

Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj shprehu gatishmërinë e institucioneve të vendit për vazhdimin e dialogut, të kornizuar që çon në marrëveshje finale me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe në partneritet të mirë me të gjitha vendet e rajonit.

Ndërsa, Susanne Schütz, Drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane, ka falënderuar kryeministrin në detyrë Haradinaj për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e shtetit gjerman për mbështetjen e Kosovës në të ardhmen.