03.12.2019

Kryeministri në detyrë Haradinaj mori pjesë në shënimin e 3 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara

Prishtinë, 3 dhjetor 2019

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e shënimit të 3 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, mori pjesë në konferencën “Promovimi i pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara dhe lidershipit të tyre: Ndërmarrja e veprimeve mbi Agjendën Zhvillimore 2030”, të organizuar nga HANDIKOS në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë të Zyrës së Kryeministrit.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se është një mundësi e mirë për të shprehur një falënderim për të gjithë ata që angazhohen për avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar.

“Gjatë kësaj qeverisje kanë ndodhur disa zhvillime që meritojnë respektin. Është nxjerrë vendimi për fillimin e zbatimit të Ligjit për të drejtën e personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, kanë mbetur për t’u nxjerrë edhe dy udhëzime administrative në mënyrë që në plotni të zbatohet ligji, ndërsa njëri udhëzim tashmë është në përfundim”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se është plotësuar ligji me udhëzime administrative për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, edhe pse punësimi është një sfidë e madhe dhe duhet punuar vazhdimisht.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se është miratuar koncept dokumenti si dhe ka filluar hartimi i Ligjit gjithëpërfshirës për të gjithë personat me aftësi të kufizuar që pas përfundimit do të jetë një e arritur e madhe, e po ashtu Qeveria ka qenë e hapur ndaj kërkesave, ka mbështetur personat me aftësi të kufizuara në rehabilitim, por edhe në projekte të caktuara, si dhe kanë pranuar në kabinetin e kryeministrisë persona me aftësi të kufizuara.

“Kosova është mirënjohëse të gjithë partnerëve që përkrahin në këtë rast personat me aftësi të kufizuara, shoqatat, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara që në ditët e hershme. Mbaj në mend qeveri e organizata, të gjithë vazhdojnë dhe shpresoj që ende do të kemi përkrahjen e qeverive dhe të vendeve të respektuara për një çështje kaq humane, por edhe që është obligim kushtetues e ligjor, për përkrahjen e personave me aftësi të kufizuara”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke vlerësuar se edhe prezenca e tij në këtë ngjarje, është një shenjë respekti e kujdesi pikërisht për ta, por edhe për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë nga Zyra e Kryeministrit, tha se gjatë kësaj periudhe është punuar në krijimin e një infrastrukture të mirë ligjore, siç është Ligji për Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, Ligji për personat e verbër dhe ligje të tjera që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara në vendin tonë. “Ka një progres në zbatimin e Strategjisë Nacionale që është një nga dokumentet kyç dhe më i rëndësishëm në nivel vendi, një dokument që është hartuar nga institucionet në bashkëpunim me organizatat joqeveritare”, tha ai.

Në këtë konferencë folën edhe Hillen Francke, Zëvendësshefe e Seksionit për Bashkëpunim, Zyra e BE-së, Afrim Maliqi, nga Shoqata Handikos, Bujar Kadriu, nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, Enver Kurtalani nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, Daut Tishuku, Shoqata Kosovare e Personave të Verbët dhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues të shoqatave të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.