28.11.2019

Kryeministri në detyrë Haradinaj: Nuk ka kush që na ndanë, do të jemi bashkë si shqiptarë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në pritjen për nder të 28 Nëntorit, për veteranë, invalidë, familje të dëshmorëve, të burgosur politikë, organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Në fjalën e  tij para të pranishmëve, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se sot të gjithë, pa marrë parasysh funksioneve që i kryejnë, ushtarë, policë, zyrtarë, të papunë, veteranë e invalid e familjarë të dëshmorëve, kanë një emër, e emri është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Po ashtu në këtë ditë ne krenohemi me identitetin tonë të qenit shqiptarë ashtu siç na ka fal zoti në trojet tona në Ballkan, e kudo që jetojmë në botë. Tashmë është bë traditë të organizohet një pritje për kategoritë e lirisë, shoqatat e dalura nga lufta dhe veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare. Andaj, edhe pse në rrethana specifike kësaj here, megjithatë e kemi ruajtur traditën”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj, derisa ka falënderuar anëtarët e familjes Jashari, familjet e dëshmorëve, krerët e institucioneve, si dhe shoqatat e dalura nga lufta.

Në këtë datë të rëndësishme për gjithë shqiptarët, kryeministri në detyrë Haradinaj, duke kujtuar tragjedinë në Shqipëri pas tërmetit, tha se e vërtetë se kemi dhimbje, bashkëndjejme me bashkëkombësit kudo që janë, veçmas ata në Durrës e Thumanë për të vdekurit për familjet e tyre për të lënduarit, për të gjjithë ata që sot janë me dhimbje, me ankth për familjarët e tyre.

“Do të jemi gjithmonë me ta, ashtu siç kemi qenë gjithë kohës, edhe kur kemi pasur kufi, në zemrat tona s’kemi qenë të ndarë. E tani që kufijtë nuk na ndalin, nuk ka kush që na ndal, nuk ka kush që ndanë, dhe do të jemi bashkë si shqiptarë. Sot kemi mundësinë të kujtojmë një kohë shumë të rëndësishme të historisë sonë, nëntorin e Skënderbeut, të Krujës, nëntorin e Ismail Qemailit e të Vlorës, nëntorin e UÇK-së e të komandantit legjendar Adem Jashari dhe po ashtu nëntorin e mijëra shqiptarëve të zot që punuan pa ndalë, që sakrifkuan por edhe flijuan që të mbetemi shqiptarë, që ende të jemi pasues të ilirëve, trashëgimtarë të tyre edhe në Ballkanin tonë aty ku na ka fal zoti dhe ende mund të themi se vazhdojmë të mbesim zot shtëpie”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

UÇK është më meritore për Kosovën sot të pavarur, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke theksuar se janë bijtë e bijat e të gjithë kombit dhe se vërtet krenohen me sakrificën dhe luftën e të gjithëve për liri.

“Njëkohësisht aleatëve që na kanë ndihmuar ju themi faleminderit, në këtë rast NATO-s të prirë nga Amerika dhe me të drejtë rreshtohemi në botën e lirë që i prinë Amerika, në botën e NATO-s aty ku kërkojmë që të rreshtohemi me ushtrinë tonë më të re dhe aty ku presim që fjala jonë, zëri ynë pak të dëgjohet”, tha ndër tjerash kryeministri në detyrë Haradinaj.

Në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj foli edhe për kategoritë e lirisë dhe potencoi se në dy vjet qeverisjeje kanë pasur shumë sfida dhe se ende i nuk iu kanë dalë borxh kategorive të lirisë por se janë munduar ta respektojnë obligimin shtetëror ndaj kategorive të lirisë dhe premtoi se në këtë rrugëtim nuk do të ndalen që këto kategori të ndihen krenarë për krejt sakrificën që është bërë dhe njëkohësisht secili të merr mësim se si shqiptari respekton ushtarin, respekton sakrificën.

“Po ashtu dua të flas për tri momente që i bëjnë  të rëndësishme këto dy vite qeverisjeje të një bashkëluftëtari tuajin. E para është pavarësa energjetike. Kosova nuk ka qenë e pavarur në energji, por më në fund kemi pronarë të krejt çfarë është energji në Kosovë, kemi pavarësinë energjetike jo vetëm të transfusionit të lartë por çdo resurs, çdo instalacion, çdo e drejtë në energji në territorin e Kosovës ka vetëm një pronar dhe ajo është Kosova”, veçoi kryeministri në detyrë Hradinaj, duke thënë se vendimi është marrë dhe hynë në fuqi në fund të prillit që vjen dhe se ai vendim është i pakthyeshëm dhe i përjetshëm.

Një temë tjetër shumë e rëndësishme siç u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj, është edhe realizimi i së drejtës dhe përbyllja e të drejtës së Trepçës dhe se tani përveç Trepçës çdo resurs që ka Kosova nuk ka bashkëpronarë, nuk ka palë të dytë apo tretë që ka hise apo që mund të ketë përfitime të çfarëdo natyre.

“E treta, janë ligjet për ushtrinë, të cilat na kanë dhënë të drejtën sipas ligjit ndërkombëtar sepse ne kemi votuar ligje sipas ligjeve tona si edhe na kanë njohur vendet e respektuara që të kemi ushtri dhe që të kemi të dretën të mbrojmë territorin, sovranitetin, integritetin dhe të mbrojmë popullinë. Hera parë në historinë e vendit, të ecjes përpara si shtet e kemi fituar këtë të drejtë. Kjo e drejtë është e pakthyeshme dhe e kemi bë ushtrinë më të mirën në Ballkan”, shtoi për fund kryeministri në detyrë Haradinaj duke bërë të qartë se gjithë këto po i ndërlidh me ditën e sotme duke u shprehur i sigurt se ata që tetojnë të na gjunjëzojnë, përçajnë e dobësojnë, do të dështojnë.