28.11.2019

Kryeministri në detyrë Haradinaj: Parku Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman është hapur për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

 

28 nëntor 2019

“Parku Inovativ Trajnues Kosovaro- Gjerman, në Prizren, është hapur nga sot, vetëm për ata që janë prekur nga tërmeti, që kanë humbur shtëpitë e tyre dhe nuk kanë se ku të strehohen”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj pas vizitës në Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro- Gjerman, në Prizren, së bashku me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se sot gjatë ditës është ndërtuar një Trup Koordinuese e nivelit qendror të Qeverisë, të Ministrisë së Brendshme, të Agjencive që janë të specializuara për temat e të zhvendosurve, për pranimin dhe integrimin e tyre.

“Parku Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman që ka një dedikim tjetër të funksionimit, dyertë e tij sot i kemi hapur për bashkëkombësit tanë. Njëkohësisht me komunën, në këtë rast me kryetarin Haskuka është dakorduar edhe një protokoll i mëtejmë i punës. Kemi edhe nikoqirët ITP dhe personelin e tyre që janë afruar me të gjitha kapacitetet e veta edhe pse ky park ka dedikim tjeter, kësaj here është hapur edhe për të zhvendosurit ata që janë viktima të tërmetit”, sqaroi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Ndër tjerash, kryeministri në detyrë Haradinaj bëri të ditur se ambasadori gjerman, Qeveria gjermane bashkë me Gizzin gjerman janë afruar po ashtu për kujdes dhe përkrahje.

“Aktualisht e tha edhe kryetari Haskuka, i kemi 180 të vendosur, kapaciteti është diku rreth 500. Ka edhe aspekte të tjera administrative që do t’i shikojmë në ditët në vazhdim “, bëri të ditur kryeministri në detyrë Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj dhe ambasadorin Heldt për vizitën e sotme në kamp, tha se kishin një takim konsultativ lidhur me zhvillimet në kamp rreth strehimit të të prekurve nga tërmeti në Shqipëri dhe shërbimet që atyre iu kanë ofruar deri më tash.

Nga ana tjetër, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, tha se janë të gatshëm të sigurojnë çfarëdo ndihme që nevojitet për ata që janë prekur nga tërmeti në Shqipëri dhe theksoi se në kamp tashmë gjërat janë rregulluar dhe se nga tani do të shohin se si po vazhdon situata në ditët në vazhdim.