28.11.2019

Kryeministri në detyrë Haradinaj: Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari na bashkojnë sot, duke na bërë NJË në zemër, ashtu siç ishim e do të jemi gjithmonë

Drenas, 28nëntor 2019

 

“Drenasi përjetëson sot në bronz tre figurat emblematike të historisë sonë të re, Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari, të cilët, me familjen heroike Jashari ndërruan epokat, u ngritën vet të parët me i dhanë zemër popullit, për mos ra nën pushtuesit”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e zbulimit të shtatoreve të Shaban, Hamëz e Adem Jashari.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se ky 28 nëntor është i veçantë, sepse këta TRE burra na bashkojnë sot në këtë shesh, duke na bërë NJË në zemër, ashtu siç ishim e do të jemi gjithmonë.

“Lufta heroike e UÇK-së në ballë me Komandantin Legjendar, shënon rimëkëmbjen tonë si komb dhe na kujton nëpër breza e krahina, se kush jemi, duke na nxitur që të krijojmë vepra të mëdha së bashku edhe në shekujt që vijnë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

 

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë, Haradinaj në ceremoninë e zbulimit të shtatoreve të Shaban, Hamëz e Adem Jashari:

 

Drenasi përjetëson sot në bronz tre figurat emblematike të historisë sonë të re, Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari, të cilët, me familjen heroike Jashari ndërruan epokat, u ngritën vet të parët me i dhanë zemër popullit, për mos me ra nën pushtuesit.

Është i veçantë ky 28 Nëntor, sepse këta TRE burra na bashkojnë sot në këtë shesh, duke na bërë NJË në zemër, ashtu siç ishim e do të jemi gjithmonë.

Lufta heroike e UÇK-së në ballë me Komandantin Legjendar Adem Jashari, shënon rimëkëmbjen tonë si komb dhe na kujton nëpër breza e krahina, se kush jemi, duke na nxitur që të krijojmë vepra të mëdha së bashku edhe në shekujt që vijnë.

Falë luftës dhe heroizmit të tyre, ne sot, e kemi ngritë në këmbë atdheun tonë, kemi Republikën e Kosovës, që është e arritura më e madhe e patriotizmit shqiptar, pas Pavarësisë së Shqipërisë, duke i dhënë kuptim të ri e vlerë të shtuar përpjekjeve tona për realizimin e të drejtës shqiptare.

Sot, u jemi borxh këtyre tre burrave të kombit, ta ruajmë lirinë tonë, sovranitetin shtetëror, territorin kushtetues dhe të mbrojmë të arriturat tona kombëtare.

Lavdia u përket atyre që u ngritën mbi frikën, u shuan vet, për me i dhanë jetë një kombi! Rezistenca dhe lufta e tyre na kanë lidhur përjetësisht ne shqiptarëve.

Ky 28 Nëntor do të mbahet mend gjatë, sepse kur në shtëpinë e shqiptarit bashkohen dasma e deka përnjëherë, në vend të ligështimit në fatkeqësi, forcohemi. Kështu ndodhi para 29-vjetësh, kur ne ishim bashkë në flakët e luftës. Njëjtë ndodh kur bashkëkombësit tanë, qytetarët e Shqipërisë janë në fatkeqësi. Jemi bashkë gjithnjë.

Këta burra shkuan  në luftë që ne të vijmë në paqe! Rënia e tyre mundësoi ngritjen e ushtrisë sonë, e cila në rresht me ushtritë e paqes, garanton siguri për popullin e Kosovës dhe stabilitet në rajon.

Ushtarët që ishin foshnje kur baballarët e tyre të ndjekur nga armiku, gjetën strehë në Shqipëri, para 20-vjetësh, sot janë shpresë për bashkëkombësit e goditur nga tërmeti.

Secili prej tyre, naltëson lavdinë e Komandantit Legjendar Adem Jashari, në tokën e shqipeve, kurse nesër kudo që na e kërkojnë aleatët tanë strategjikë, ShBA dhe NATO, do të jemi në mbrojtje të lirisë dhe paqes.

Pushofshin të qetë dhe u kujtofshin përjetësisht Jasharët!