26.12.2019

Kryeministri në detyrë Haradinaj: Unë i besoj Policisë tonë, meritorë të suksesit të tyre jeni të gjithë ju qytetarë

Prishtinë, 26 dhjetor 2019

“Secili qytetar që i beson policisë së vendit, është meritor për suksesin e tyre. Të gjithë qytetarët të të gjitha komuniteteve kudo që janë, janë fitues nëse Policia jonë është e suksesshme sepse jeta e tyre, e fëmijëve të tyre, e pronës e të drejtave të tyre janë të garantuara dhe unë ju bëj thirrje qytetarëve të vendit pa dallim të ndonjë përkatësie që t’i besojnë Policisë së Kosovës sepse është policia e tyre, është garancë për një jetë të qetë dhe garancë për respektim të secilit dhe secilës”, kështu tha kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në fjalën e tij në pritjen për fundvit në Policinë e Kosovës.

Para të pranishmëve, kryeministri në detyrë, Haradinaj, theksoi se sot janë bashkë në përmbyllje të një viti për ta nderuar punën e policës, policit, që nga ata që janë në terren gjithë kohës e deri tek gjithë stafi e ata që  kanë mundësuar që  ta përmbyllim një vit të suksesshëm në rendin publik, qetësinë publike, që siguria e jetës e pronës e të drejtave të njerëzve tonë të ndodh, pa dallim pa diskriminim, çdo kund në vendin tonë si në jug si në veri si në lindje e perëndim, kudo që jemi.

“Është me rëndësi që institucionet e vendit, Kosova ka qenë e kujdesshme dhe e ka kthyer në fokus pozitën e policisë së Kosovës, gjendjen edhe  në aspektin material dhe financiar pra përkrahjen, pagat dhe koeficientet e rrezikshmërisë, orët shtesë  e çështje tjera kyçe për  jetën dhe integritetin profesional dhe familjar të policit. Ende ka punë për t’u bërë, dhe do të vazhdojmë me punë. Ligji për pensionet, sigurimet shëndetësore, nuk do të ndalemi”, u shpreh kryeministri në detyrë, Haradinaj.

Ndër tjerash, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se i beson policisë së Kosovë,  e ka parë në punë dhe e di se nuk e ka lehtë të sigurojë rendin publik në një vend që është në tranzicion ende, ku përgjegjësitë e rendit publik dhe të sigurisë janë të organizuara në atë mënyrë që ka plot partnerë, plot komponentë të sigurisë.

“ E kemi KFOR-in, ka edhe një rol të EULEX-it në vend, pastaj ushtria e jonë është në proces të marrjes së përgjegjësive të plota, por policia e ka mbuluar vakumin më të madh të mundshëm të përgjegjësisë në rendin publik dhe siguri dhe ju inkurajoj që këtë përgjegjësi ta ndjeni edhe në të ardhmen. Mos lejoni që  të krijohet vakuum që të shfrytëzohet  prej armiqve të rendit publik dhe sigurisë dhe të përfitojnë terrorizmi dhe mekanizma që janë të motivuara armiqësisht ndaj Kosovës”, deklaroi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Pas fjalimit, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj falënderoi Drejtorin  e Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj për angazhim profesional të tij në krye të Policisë duke i ndarë medaljen e kryeheroit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” ndërsa nga drejtori Qalaj, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës, kryeministri në detyrë Haradinaj pranoi mirënjohje.

Nga një fjalë rasti e mbajtën edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.