27.11.2019

Kryeministri në detyrë Haradinaj: Ushtria jonë po rritet, ashtu siç po rritet pavarësia, sovraniteti dhe integriteti ynë territorial

Gllogjan, 27 nëntor 2019

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të aktiviteteve për datën 28 nëntor, sot ka bërë homazhe në Gllogjan, në Kompleksin Memorial te Kulla e Dëshmorëve.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se 27 nëntori është dita e ushtrisë së Kosovës, që shënohet në gjithë vendin.
“Është hera e parë që e shënojmë si ditë të ushtrisë tonë të rregullt, në bazë të ligjeve të miratuara vitin që shkoi, dhe vërtetë ushtria jonë po rritet, ashtu siç po rritet pavarësia, sovraniteti dhe integriteti ynë territorial”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë, Haradinaj tha se njëkohësisht në këtë ditë, kujtojnë daljen publike të UÇK-së, pastaj 28 nëntorin, që është nëntori i shqiptarëve, data e pavarësisë, e kthimit të Skënderbeut në kohëra më të hershme, në Shqipëri, ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe plot data që lidhen me këtë.

Më tej, kryeministri në detyrë, Haradinaj, tha se sot kanë nderuar në të gjithë vendin, duke filluar në Prekaz, pastaj në varrezat e heronjve në Velani të Prishtinës dhe tani në Gllogjan për të nderuar së bashku gjithë ato flijime, gjithë atë sakrificë të shqiptarëve për liri.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj, the se këto ditë, dje dhe sot janë bashkë me bashkëkombësit tanë në Shqipëri, të prekur nga tërmeti, janë me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, pra me ata që kanë të vdekur, numri është rritur dhe vazhdon të rritet, fatkeqësisht, dhe njëkohësisht me të lënduarit, dhe të gjithë ata që kanë mbetur pa strehë.

“Kosova dje ka qenë shumë mirë e organizuar dhe që nga orët e para të mëngjesit të gjitha procedurat e parapara në bazë të Kushtetutës tonë, të ligjeve në fuqi për të vepruar dhe dërguar ushtrinë, policinë, mekanizmat tjerë, janë kryer në kohë rekord dhe në mënyrën më të organizuar të mundshme. Kosova si shtet i ka dalë në ndihmë bashkëkombësve të vet, bashkëqytetarëve tanë, shtetit dhe institucioneve të Shqipërisë. Njëkohësisht shumë qytetarë nga të gjitha trojet etnike në Ballkan, por edhe nga diaspora janë mobilizuar për ndihmë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj theksoi se nga sot është vendosur që ndihmat dedikuar bashkëkombësve në Shqipëri mund të dorëzohen në kazermën e ushtrisë tonë në Prizren, për shkak se qytetarët nuk po dinë ku të orientohen, të cilat pastaj ushtria jonë t’i kalojë te autoritetet e Shqipërisë apo edhe t’i dërgojnë në vend, aty ku duhet.

“Kemi bërë rrugë të gjatë si shqiptarë, kemi bërë rrugë të gjatë edhe si Kosovë, njëkohësisht ata që kanë bërë shumë për liri mund të jenë krenarë, duke parë se shteti ynë vetëm po forcohet po konsolidohet. Demokracia është e jona, ne e kemi kërkuar dhe e kemi pritur gjatë, pushtetet vijnë e ndërrohen, njerëzit marrin besim, por Kosova forcohet. Ju siguroj se asnjëherë nuk do të mungojë kontributi ynë për ta forcuar vendin tonë në të gjitha drejtimet, në atë të sigurisë po se po, politik, ekonomik, por edhe me investime e me detyra që na presin”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke theksuar se nderimi i sotëm u dedikohet të gjithë të rënëve për liri, por edhe bashkëqytetarëve tanë në Shqipëri.