14.04.2020

Kryeministri në detyrë Kurti prezanton 15 masat e parapara në Pakon Fiskale Emergjente

 

 

Prishtinë, 14 prill 2020

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi kanë mbajtur konferencë për medie, në të cilën kanë prezantuar masat e parapara në Pakon Fiskale Emergjente të hartuar nga Ministria  Financave dhe Transfereve dhe të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti, duke prezantuar 15 masat e Pakos Fiskale Emergjente, theksoi se kjo pako është dizajnuar për të arritur disa qëllime; (i) të ofrojë ndihmë financiare shtesë për shtresat më të varfra të shoqërisë pas pandemisë COVID-19; (ii) të ndihmojë bizneset në mbulimin e shpenzimeve operative në mënyrë që të sigurohet një pagë minimale për të gjithë punëtorët gjatë situatës emergjente, si dhe (iii) të sigurohet se bizneset kanë mundësi të vazhdojnë veprimtarinë gjatë dhe pas tejkalimit të situatës emergjente.

Po ashtu, kryeministri në detyrë Kurti shprehu bindjen që krahas kujdesit për shëndetin publik, Qeveria në detyrë nëpërmjet kësaj pakoje fiskale emergjente po kujdes edhe për shëndetin e ekonomisë, e cila më pastaj pasohet nga pakoja për rimëkëmbjen ekonomike. 

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

Të nderuar gazetarë,

Ju faleminderit shumë që i jeni përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë për këtë konferencë për media që ka të bëjë me shëndetin e ekonomisë në këtë kohë pandemie.

Siç tashmë jeni të njoftuar, ne kemi vendosur për një pako fiskale emergjente e cila është dizajnuar për të arritur disa qëllime:

 •Të ofrojë ndihmë financiare shtesë për shtresat më të varfra të shoqërisë gjatë pandemisë COVID-19;

•Të ndihmojë bizneset në mbulimin e shpenzimeve operative në mënyrë që:

      -Të sigurohet një pagë minimale për të gjithë punëtorët gjatë situatës emergjente;

      -Të sigurohet se bizneset kanë mundësi të vazhdojnë veprimtarinë gjatë dhe pas tejkalimit të situatës emergjente.

•Të sigurojmë likuiditet shtesë për bizneset në mënyrë që të stimulohet rritja e aktivitetit ekonomik;

•Të stimulohen punonjësit e sektorëve esencial gjatë gjendjes së emergjencës të cilët janë të ekspozuar më së shumti ndaj rrezikut të infektimit;

•Të stimulohet punësimin dhe formalizimi në sektorit privat.

Kjo pako nuk ka si qëllim politikat afatgjate për të stimuluar rimëkëmbjen e ekonomisë. Për këto do të bëhet një analizë, një studim më i thellë dhe të hartohet një pako e dytë e cila do të adresojë nevojat afatgjate të sektorit privat.

Pra Pako Fiskale Emergjente sepse jemi në një situatë emergjente shëndetësore.

Masa 1– Pagesa e dyfishtë e vlerës së skemës sociale (3 muaj);

Masa 2- Pagesa shtesë prej 30 euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale nën 100 euro (3 muaj);

Masa 3- Mbështetja financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si rezultat i situatës emergjente, dhe atë:

(a) Mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 euro ( 2 muaj)

(b) Subvencioni i qirasë deri në pesëdhjetë për qind (50%) të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;

(c) Mbulim i vlerës së kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim.

Masa 4- Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike (kthimi bëhet deri në fund të vitit 2020);

Masa 5- Sigurimi i mbështetjes financiare për Komuna e Republikës së Kosovës (total prej 10 milionë euro);

Masa 6- Sigurimi i shtesës mbi pagën në vlerë 300 euro për punonjësit e sektorëve esencial të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit (2 muaj);

Masa 7- Pagesë shtesë prej 100 euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve (2 muaj);

Masa 8- Pagesa e asistencës mujore prej 130 euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës emergjente (regjistrimi bëhet përmes ATK-së dhe kjo masë është për 2 muaj);

Masa 9- Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë në Republikë e Kosovës, e të cilët janë goditur rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dy milionë (2,000,000.00 €) euro;

Masa 10- Sigurimi i likuiditetit financiar për dy kategori:

(a) Mikro-ndërmarrjet dhe të vetë–punësuarit nëpërmjet programeve të caktuara të Fondit Kosovar për Garanci të Kredive, në shumën deri në dhjetë mijë (10, 000 €) euro për periudhën 2 vjeçare, në vlerë deri në pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro.

 (b) Shoqëritë Tregtare/Kompanitë e autorizuara të cilat ofrojnë shërbime bazike (të ngjashme me ato të ndërmarrjeve publike) me kthim deri më 31.12.2020, në kuadër të vlerës së përcaktuar të pikës 1.4 të vendimin për Pakon Fiskale Emergjente.

Masa 11 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor, në vlerë prej pesë milionë euro (5, 000,000.00 €) euro;

Masa 12 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për evitimin e situatës së krijuar nga gjendja e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë (5,000,000.00€) euro;

Masa 13 – Mbështetje për eksportuesit në Republikën e Kosovës pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dhjetë milionë (10, 000,000.00€) euro; 

Masa 14 – Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një (1) vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga njëqind e tridhjetë (130€) euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, në vlerë deri në gjashtë milionë (6,000,000.00€), euro;

Masa 15 – Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130€) euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, e që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga Buxheti i Kosovës, dhe kjo për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00€) euro. 

Kjo është Pakoja Fiskale Emergjente dhe jemi të bindur që krahas kujdesit për shëndetin publik, edhe për shëndetin e ekonomisë sonë do t’ia dalim me këtë pako emergjente, e cila më pastaj pasohet nga pakoja për rimëkëmbjen ekonomike.

Agjenda

Të gjitha