21.05.2020

Kryeministri në detyrë Kurti vizitoi fabrikën e këpucëve “SOLID” dhe atë të stiroporit “GRANITI” në Therandë

Therandë,  21 maj 2020

Sot gjatë ditë, kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, znj. Rozeta Hajdari, kryetarin e Komunës së Therandës, z. Bali Muharremaj dhe drejtorin ekzekutiv të Klubit të Prodhueseve, z. Astrit Paxha, vizituan fabrikën e këpucëve “SOLID” dhe të stiroporit “GRANITI” në parkun industrial në Therandë.

Parku Industrial në Therandë ka rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomikë të kësaj komune. Ky park është shtëpi e 50 bizneseve të cilat, nga që nga viti 2017 kanë investuar mbi 50 milionë euro. Veprimtaria e këtyre bizneseve siguron të ardhurat e mbi 1000 të punësuarve.

Në këtë park, kryeministri në detyrë z. Kurti fillimisht vizitoi fabrikën “SOLID”, e cila ka 250 punëtorë dhe produktet e së cilës, për shkak të cilësisë së tyre, tashmë janë prezente në tregun evropian, amerikan dhe afrikan. Gati gjysma e prodhimit është i dedikuar për tregun e jashtëm dhe gjysma tjetër për atë të brendshëm. Gjatë takimit, Kryeministri në detyrë u njoftua me procesin e prodhimit, vështirësitë në plasimin e prodhimeve në treg dhe kërkesat e menaxhmentit udhëheqës të kësaj fabrike.

Nga aty, vizitoi fabrikën “GRANITI” e cila duke qenë e fokusuar në fushën e ndërtimtarisë, bën prodhimin e striroporit, llaqeve, fasadave dhe ngjyrave. Si e tillë, prodhimtaria e kësaj fabrike është sh​umë e rëndësishme në aspektin e ruajtjes së energjisë meqë stiropori përdoret për izolimin e ndërtesave. Kjo fabrikë ka mbi 100 punëtorë, dhe pavarësisht problemeve financiare të shkaktuara nga pandemia gjatë muajit mars dhe prill të këtij viti, asnjëri nga punëtorët nuk e ka humbur vendin e punës dhe pagesat janë kryer me rregull.

Kryeministri shprehu zotimin dhe përkushtimin e tij e të qeverisë që t’i përkrahë dhe ndihmojë prodhuesit vendorë nëpërmjet ligjeve të reja ose plotësim ndryshimin e ligjeve aktuale, sidomos në lidhje me prokurimin publik, në mënyrë që prodhuesit të mos jenë të diskriminuar brenda vendit kur të njëjtit vlerësohen për cilësi të lartë jashtë tij. Përkrahja e prodhuesve vendorë është në linjë me programin e Qeverisë dhe orientimin ekonomik të saj.