20.05.2020

Kryeministri në detyrë Kurti vizitoi Trepçën, u kumtua lajmi për ekzekutimin e pagesave të punëtorëve

Mitrovicë, 20 maj 2020

Sot, në Mitrovicë, kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, bashkë me ministrat në detyrë, atë të Ministrisë së Ekonomisë, znj. Rozeta Hajdari dhe të Financave e Transfereve, z. Besnik Bislimi takuan punëtorët e Trepça Sh.A. ku përveç diskutimeve të përhershme për rivitalizimin e Trepçës, u kumtua edhe lajmi për ekzekutimin e pagesave të 1280 punëtorëve, ndarjen e subvencionit në vlerë 3.5 milionë euro, dhe fillimin e përgatitjeve për rikthimin e terminalit doganor të Trepçës.

Delegacioni i Qeverisë u mirëprit nga anëtarët e Bordit të Përkohshëm të “Trepça Sh.A”, menaxhmenti i ndërmarrjes, përfaqësues të minierave me flotacion Stan Tërg, Artanë e Kishnicë, dhe përfaqësues të Sindikatës.

Qeveria e Kosovës është duke punuar që problemet sociale të ndërmarrjes të tejkalohen sa më parë dhe që të fokusohemi tek aspekti zhvillimor. Trepça është organizatë e punëtorëve, pasuri kombëtare por edhe industri prodhuese. Roli i kësaj ndërmarrjeje është përtej ekonomik. Është edhe historik dhe shtetndërtues.

Tash është koha kur ne do të punojmë në ide konkrete në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe të horizonteve të saj. Trepça do të jetë pjesë e pakos së dytë fiskale të rimëkëmbjes ekonomike.

Qeveria e Kosovës ka pranuar falënderime nga punëtorët për seriozitetin dhe interesin e saj të treguar ndaj kësaj ndërmarrjeje e cila në të kaluarën është keqpërdorur e shfrytëzuar. Kjo Qeveri është e përkushtuar që të rimëkëmb këtë ndërmarrje.