03.11.2010

Kryeministri Recep Tayyip Erdoğan ishte ndër shtytësit më të mëdhenj në mbështetje të pavarësisë së vendit tonë – theksoi kryeministri Thaçi

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Turqisë, Recep Tajip Erdoğan sot pas dite kanë qëndruar në Komunën ë Prizrenit. Të dy kryeministrat fillimisht kanë vizituar Xhaminë e Sinan Pashës, që ndodhet në qendër të Prizrenit e cila kohë më parë është restauruar nga donacioni i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim – “Tika”.

Prishtinë, 03 nëntor 2010
 

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së  Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Turqisë, Recep Tajip Erdoğan sot pas dite kanë qëndruar në Komunën ë Prizrenit. Të dy kryeministrat fillimisht kanë vizituar Xhaminë e Sinan Pashës, që ndodhet në qendër të Prizrenit e cila kohë më parë është restauruar  nga donacioni i  Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim – “Tika”.

Kryeministri Thaçi dhe Erdogan më pas janë drejtuar në Sheshin “Shatërvan” në qendër të qytetit  ku ishin tubuar mijëra qytetarë nga Prizreni dhe rrethina në shenjë nderimi për kryeministrin turk Recep Tayyip Erdoğan. Kryeministri Hashim Thaçi në një fjalë rasti falënderoi qyetarët ë Prizrenit dhe gjithë Kosovës për pritjen madhështore që i bënë kryeministrit Erdogan, të cilin e cilësoi  shtytësin më të madh me rastin e shpalljes së Kosovës, shtet sovran dhe të pavarur.

“Kryeministri Erdoğan ishte ndër shtytësit më të mëdhenj në mbështetje të pavarësisë së vendit dhe nga atëherë ka ofruar përkrahjen e tij në të gjitha drejtimet sa i përket proceseve në Kosovë”, tha kryeministri Thaçi, duke shtuar se asnjëherë nuk duhet harruar kontributi i shtetit turk gjatë kohës së luftës në Kosovë, pastaj përkrahja rreth rimëkëmbjes së saj pas lufte si dhe bashkëpunimi në projekte të ndryshme, sidomos ato të trashëgimisë kulturo-historike.

Kryeministri Thaçi me tutje shtoi se kjo është ditë e veçantë, ditë e historisë së re, pasi për herë të parë në historinë e Kosovës, një kryeministër i Turqisë e viziton Kosovën. “Një ditë para se të shpallej pavarësia, Erdoan ishte njeriu i cili prej liderëve më të fuqishëm botëror më thirri dhe më dha mbështetje që në asnjë moment të mos shtyhej pavarësia dhe më dha mbështetje të madhe për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Marrdheniet ndërshtetëror Kosovës-Turqi, kryeministri Thaçi i ka cilësuar në nivel të lartë, ndërsa është shprehur për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Duke ju drejtuar të pransihmëve në Sheshin “Shatërvan” , kryeministri turk Recep Tayyip Erdoğan , tha se Turqia gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë mike e Kosovës, pasi ky vend meriton shumë dhe këtu në Kosovë secili vend i botës duhet të mësoj se çfarë do të thotë bashkëjetesa në mes komuniteteve.

“Kosova është një vend shumë i bukur dhe i begatë. Liderët e vendit kanë ditur si të punojnë gjatë proceseve në të cilat kaloi dhe po kalon Kosova. Turqia edhe më tej do të jetë në ndihmë të Kosovës sa herë që të jetë nevoja”, theksoi kryeministri Recep Tayyip Erdoğan.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Jagxhillar, ka falënderuar kryeministrin Erdogan dhe shtetin e Turqisë për ndihmat që i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi, si dhe komunitetit turk në Kosovë. Ai ka premtuar se komuniteti turk do të vazhdojë me rolin e vet konstruktiv për të ndihmuar në ndërtimin e institucioneve të Republikes se Kosovës.

Ndërkaq, më pas,  në një mbledhje solemne, Kuvendi Komunal i Prizrenit dekoroi Kryeministrin e Turqisë, Recep Tajip Erdoğan me titullin “Qytetar nderi i Prizrenit”, për kontributin që ka dhënë për pavarësinë e Kosovës, si dhe mbeshtetjen dhe perkrahjen e fuqishme për vendin.

Kryetari i Komunës së Prizrenit , Ramadan Muja, me këtë rast vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të kryeministrit Erdoğan në të mirë të Kosovës, duke theksuar se falë tij vendi ynë ka marrë njohje të shumta nga vende të botës.